“Sporti si vlerë”, aktiviteti i radhës nga Komiteti Olimpik i Kosovës
Lexohet për: 3 min.
Kok-200924
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka zhvilluar aktivitetin e radhës sportiv në kuadër të projekteve të ‘Erasmus-+’. Aktiviteti i radhës ishte ‘Sporti si vlerë’ ku u zhvilluan ndeshje basketbolli ndërmjet katër shkollave të Prishtinës, por edhe një ndeshje tjetër u zhvillua ndërmjet Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi në hapje të aktiviteti deklaroi se me mbështetjen e ‘Erasmus-+’, sporti në Kosovë po bëhet edhe më madhështor.

“Një falënderim të veçantë dua të bëjë për Bashkësinë Evropiane, për programin ‘Erasmus-+’ që gjithmonë i kemi përkrah nesh, na suportojnë dhe na përkrahin në aktivitete të ndryshme sportive që kjo po ë bënë edhe më madhështore sportin në Kosovë...Ne si Komitet Olimpik i Kosovës do të vazhdojmë t’iu përkrahim juve sepse nga ju në të ardhmen presim sportistë elitarë, e pse jo edhe sportistë të cilët do të na zbardhin fytyrën me medalje evropiane, botërore por edhe olimpike ”, tha Krasniqi në hapje të këtij aktiviteti.

Ndërsa, Udhëheqësja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Komitetin Olimpik të Kosovës, Rejhan Halili tha për KosovaPress se aktiviteti ‘Sporti si vlerë’ ngërthen në vete aktivizimin dhe promovimin e vlerave olimpike përmes sportit, por edhe zbulimin e talentëve të rinj në sport.

“Komiteti Olimpik i Kosovës është partner në projektin e Rasmus +, ‘Sporti si vlerë’ dhe ky është aktivitet i përbashkët që është pjesë e programit të projektit që ngërthen në vete aktivizimin dhe promovimin e vlerave olimpike përmes sportit. Prandaj, ne këtu i kemi ftuar katër shkolla të Prishtinës në pamundësi të ftesës për të gjitha shkollat. I kemi shkolla ‘Meto Bajraktari’, ‘Mitrush Kuteli’, ‘Dadania’ dhe ‘Emin Duraku’...Përmes këtyre aktiviteteve, ne edhe zbulojmë talente, fëmijët regjistrohen në klubet e sporteve të ndryshme dhe ky është qëllimi që ne duam ta arrijmë”, theksoi Halili.

Të lumtur me këtë aktivitete ishin edhe basketbollistët e rinj të shkollave të Prishtinës. Nard Ethemi theksoi se e pëlqen basketbollin si sport ekipor, derisa synon që në të ardhmen të luajë në elitën e basketbollit të Kosovës, por edhe të dal për të luajtur në ndonjërën nga ligat më të forta evropiane.

“Basketbolli me pëlqen mua shumë si sport, është lojë ekipore, njëra prej atyre gjërave që më pëlqen dhe e ka kështu pasion...Të luaj në ligën profesionale në Kosovë, pastaj të shohim nëse mundem të dal në Evropë, në Amerikë e kështu me radhë”, deklaroi Ethemi.

Ndryshe, në mini-turneun e basketbollit që u zhvillua, fituese doli shkolla “Meto Bajraktari” që në finale mposhti shkollën ‘Mitrush Kuteli”

.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025