Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka vlerësuar vitin 2025 si një periudhë të rëndësishme për sportin kosovar. Ai ka theksuar se, përveç rezultateve të vazhdueshme në sportet individuale, është shënuar progres i dukshëm edhe në sportet ekipore.
Në një intervistë për KosovaPress, Krasniqi ka folur për sukseset sportive, organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare, rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës dhe rolin e sportit në promovimin e imazhit të Kosovës.
Kreu i KOK-ut ka folur edhe për ambiciet e Komitetit Olimpik të Kosovës në organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive. Ai ka bërë të ditur se synimi kryesor është marrja e sa më shumë organizimeve evropiane dhe ndërkombëtare, duke e parë këtë si një mënyrë për forcimin e pozitës së Kosovës në sportin botëror.
“Ka qenë synimi imi kryesor që të marrim sa më shumë organizime të tilla, evropiane, po edhe pse jo botërore në të ardhmen. Ende nuk i kemi kushtet ndoshta të organizojmë ngjarje më të mëdha, mirëpo me marrjen e Lojërave Mesdhetare, ky ka qenë edhe qëllimi, që të ndërtojmë infrastrukturën sportive. Me Lojërat Mesdhetare i hapet një derë shumë e madhe për të gjitha federatat sportive. Impakti i shtetit të Kosovës përmes lojërave është impakti më i mirë që mund t’ia prezantojmë botës për Kosovën. Po shihet, patëm kampionatin botëror të e-sport, ku erdhën shumë shtete. Tash së fundi e patëm kampionatin evropian të Taekëondos në Prishtinë ku vlen të ceket që edhe shteti i Rusisë ishte prezent, ishte prezent me flamurin e Rusisë. Kjo i bie që shteti rus e pranoi Kosovën në një farë mënyre. Kjo është diplomacia sportive që shteti jonë duhet ta shfrytëzojë”, theksoi Krasniqi.
“Unë mendoj që duhet të bëhet një strategji sa i përket organizimeve. Sepse kemi pasur pak probleme edhe në federata sepse nuk kanë guxim federatat, sepse ajo kushton. A e di çfarë pozite del një federatë sportive nëse e merr një organizim edhe dështon? E humb kredibilitetin komplet në federatën botërore apo evropiane. Shënohet me vijë të zezë emri i Kosovës për organizime të tjera në atë federatë. Ajo ndikon edhe në federatat e tjera, sepse federatat ndërkombëtare janë të lidhura me njëra-tjetrën. Edhe ata e dinë kur dështojnë federatat. Për këtë arsye unë brengën kryesore e kam edhe maksimumin e jap edhe unë edhe Komiteti Olimpik i Kosovës për Lojërat Mesdhetare. Si do t'i organizojmë? Ne duhet të jemi shembull. Duhet të jemi shembull që lojërat mesdhetare 2030 të jenë në nivelin më të lartë të mundshëm”, vijoi tutje Krasniqi.
Gjithashtu Krasniqi ka theksuar se viti 2026 duhet të jetë vendimtar për nisjen e ndërtimit dhe përmirësimit të infrastrukturës sportive në funksion të Lojërave Mesdhetare, pasi koha deri në vitin 2030 është e kufizuar.
Krasniqi ka nënvizuar se investimi në sport është investim në shëndet, edukim dhe rini, duke shtuar se sporti mbetet ambasadori më i mirë i Kosovës dhe mënyra më e fuqishme për ndërtimin e imazhit pozitiv të shtetit në botë.
“Investimi në sport është investimi në shëndet, është investim në kulturë, është investim në rininë tonë. Besoni që investimi më i mirë tash për shtetin tonë është të fokusohet në sport. Pra sporti është shëndet, kulturë, edukatë, disiplinë, edhe e përfaqëson Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme. Imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është më i miri përmes sportit. U pa kjo me medaljen olimpike, me aktivitete të ndryshme, tani së fundi me futboll, ku bota foli për Kosovën. Po paramendoni çka do të ishte nëse Kosova kualifikohet në Botëror. Paramendoni, një shtet i vogël me 1.5, 6, 7 milionë banorë. Kjo do të ishte një, unë besoj që krejt bota do të flasë për Kosovën për herë të parë. Shumë shtete në botë kur ta shohin emrin e Kosovës, dashtë Zoti të kualifikohemi, as nuk e dinë ku është Kosova. Ata menjëherë hyjnë në Google e shikojnë çka është ky vend, që kurrë s'e kam dëgjuar këtë emër me qenë në botëror, në futboll”, deklaroi Krasniqi.