Spitali Amerikan në Kosovë ka shprehur shqetësimin e thellë për siç thuhet rrjedhjen e fundit të paautorizuar të aktakuzës së Prokurorisë Speciale, në të cilën ky institucion përmendet në cilësinë e palës së dyshuar.
Në një deklaratë publike Spitali Amerikan sqaron se “në këtë moment, as ne dhe as avokati ynë nuk e kemi pranuar zyrtarisht aktakuzën” dhe se “kjo shkelje e konfidencialitetit minon parimet themelore të procesit të rregullt ligjor dhe prezumimin e pafajësisë, të cilat janë gur-themelet e shtetit të së drejtës.”
“Ne jemi gjithashtu të shqetësuar për nevojën e Prokurorisë Speciale për publicitet në këtë rast, pasi Prokuroria ka nxjerrë një njoftim publik lidhur me aktakuzën, para përmbushjes së detyrimit të saj për t’ia dorëzuar aktakuzën Spitalit Amerikan apo avokatit të tij.”
Zbulimi i parakohshëm i një informacioni kaq të ndjeshëm ndaj publikut, jo vetëm që komprometon të drejtën për një proces të drejtë, por gjithashtu ngre çështje serioze në lidhje me integritetin e procesit gjyqësor.“Prandaj, presim që organet përgjegjëse të iniciojnë hetimet lidhur me këtë rast. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve, përfshirë mediat dhe publikun, që t’i qasen kësaj çështjeje me kujdes dhe të përmbahen nga nxjerrja e përfundimeve bazuar në informacione jo të plota, selektive ose jozyrtare. Spekulimet publike dhe konkluzionet e pabazuara nuk i ndihmojnë informimit të drejtë lidhur me këtë aktakuzë. Prandaj, çdo spekulim apo konkluzion, pa vërtetimin e fakteve nga Gjykata, mund të ketë vetëm motiv keqdashës.”
Spitali Amerikan është plotësisht i përkushtuar për adresimin e pretendimeve përmes kanaleve të duhura ligjore dhe ka besim në aftësinë e gjykatës për të zbardhur faktet dhe për trajtimin e drejtë dhe profesional të çështjes. I bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse të sigurojnë respektimin e konfidencialitetit dhe të mos ndikohen nga spekulimet publike të padrejta. Ndërsa, lidhur me akuzat, do të deklarohet avokati ynë, pas pranimit të aktakuzës.
Ngrihet aktakuzë ndaj 8 personave për falsifikim e shpëlarje parash • KosovaPress
Për të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprat penale falsifikimi i dokumenteve dhe shpëlarje e parave sipas Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Prokuroria Speciale nuk ka dhënë më shumë detaje në lidhje me rastin.