Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, u vu në pranga mbrëmjen e së shtunës në aeroportin e Rinasit pasi SPAK e dyshon për dy vepra penale “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhjen me privatizimin e ish klubit sportiv Partizani.
Më 15 tetor prokurorja e posaçme Enkeleda Minollai i kërkoi gjykatës nxjerrjen e 3 masave sigurie, të cilat u firmosën nga gjyqtarja Irena Gjoka më 20 tetor.
Në cilësinë e kryeministrit ka ushtruar presion dhe dhënien e urdhrave konkrete për konkludimin e procedurave të privatizimit që sipas dosjes janë kryer në kohë rekord brenda 6 muajsh.
Po ashtu, ai dyshohet se ka vendosur në dispozicion të dhëndrit struktura të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha Jamarbër Malltezi pretendon se nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk” që ka kryer ndërtimet tek ish kompleksi sportiv “Partizani” ka përfituar 5.4 milionë euro që sipas SPAK janë para të jashtëligjshme, pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave. Ai ka shfrytëzuar ndërtuesin Fatmir Bektashi për t’i pastruar këto para.
Telashe me drejtësinë ka dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, i cili ka shfrytëzuar territoret sportive për kryerje ndërtimesh dhe nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” i ka siguruar Malltezit dhënien e përfitimeve të paligjshme në vlerën 5.4 milionë euro duke i paraqitur ato si të ardhura të ligjshme nga biznesi.
Arrestohet Jamarbër Malltezi, Sali Berishës i bllokohet pasaporta - KosovaPress