Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajiq ka komentuar faktin se deputetja Maja Vukiçeviq e Partisë Popullore Demokratike votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) dhe njoftoi se qëndrimi zyrtar i Podgoricës do të dihet në prill. Më 27 mars, Maja Vukiqeviq, kryetare e delegacionit malazez në Komitetin për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), votoi kundër propozimit që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
“Mendoj se ka qenë një votim i fshehtë dhe se nuk ka qenë as votim, por diskutim për atë temë. Votimi i vërtetë do të bëhet në prill, kur do të kemi një seancë plenare dhe kur do të kemi një këshill ministror, kur do të mund të shihni qëndrimin zyrtar të shtetit të Malit të Zi,” tha Spajiq duke iu përgjigjur mediave të Malit të Zi. Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe ministrja për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq, deklaruan së fundi në Prishtinë se Mali i Zi nuk ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
Pas debatit, pritet të ketë votim dhe nëse Kosova kalon me sukses këtë fazë, votimi që pritet të ndodhë në maj në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës do të jetë përcaktues nëse vendi do të anëtarësohet në KiE. Ndryshe, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka rekomanduar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Opinioni i Bakoyannis kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet, sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend, sipas nenit 5. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të vendit.