Të mërkurën e 22 prillit u bënë 27 vjet kur Amerika kishte dhënë sinjalin e parë se Kosova do të mund të pavarësohet, pasi këtu të mbaronte lufta e vitit 1999.
Dhe këtë paralajmërimin e kishte bërë vetë presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton.
"Objektivi ynë është i qartë: ne duam që të gjithë njerëzit e Kosovës të kthehen në shtëpitë e tyre, të lirë nga prania armiqësore e forcave të Millosheviqit, të mbrojtur nga një forcë ndërkombëtare sigurie dhe të gëzojnë liri dhe vetëqeverisje”, pati thënë Clinton në prag të Samitit të mbajtur në Uashington, me rastin e 50 vjetorit të themelimit të NATO-s, sipas AP, transmeton KosovaPress. “Millosheviq mund ta pranojë këtë rezultat ose mund të shohë se si NATO e dobëson makinerinë e tij të luftës, ndërsa populli serb, që ai pretendon se e përfaqëson, përballet me vështirësi në rritje”.
Nga ana tjetër, sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana pati bërë një deklaratë pak më të butë, duke evituar çfarëdo asociimi të periudhës së pasluftës në Kosovë me pavarësi, duke deklaruar se qëllimi i bombardimeve ajrore të Aleancës ndaj Jugosllavisë (Serbisë) ishte të kthehen kosovarët në shtëpi dhe të vendoset e garantohet paqja në Evropë.Largimi i forcave të Millosheviqit nga Kosova u bë i mundur tek më 12 qershor 1999, rreth 50 ditë pas këtij Samiti të NATO-s. /KosovaPress/