Sopi: Në Zllashë nuk janë mbajtur persona të burgosur
Lexohet për: 5 min.
sopi-180122
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Sopi, i cili po dëshmon në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës në Hagë, ka thënë se në zonën e Zllashit nuk ka pasur njerëz që janë mbajtur të burgosur.

Para Dhomave të Specializuara, Sopi ka thënë se shtëpitë të cilat janë përdorur nga UÇK-ja gjatë luftës kanë qenë për të qëndruar dhe fjetur ushtarët, përfshirë kompleksin e shtëpive në Zllashë në të cilën është thënë se ka qëndruar njësia BIA.

Në ditën e parë të dëshmisë, Fatmir Sopi ka thënë se njësia BIA ishte e vendosur në kompleksin e shtëpive të familjes Krasniqi, pronarët e së cilës nuk qëndronin aty.

“Ai kompleks është quajtur baza e skifterëve ose baza e gueriles BIA, mirëpo aty kanë qëndruar edhe ushtarë të Zonës operative të Karadakut një kohë, një pjesë, sa nuk e di, me sa e di unë... Ato janë përdorur që të flenë ushtarët, të qëndrojnë ushtarët, kurrfarë destinacioni tjetër unë nuk di”, ka thënë Sopi.

Sopi ka thënë se nuk ka pasur diçka të veçantë në ato shtëpi, por kanë qenë shtëpi fshati të zakonshme dhe sipas tij, ushtarët e UÇK-së ishin vendosur aty nga fundi i vitit 1998 ose fillimi i vitit 1999.

“Në regjionin e Gollakut gjatë periudhës së luftës kanë qenë shtëpi të UÇK-së, në të gjithë shtëpitë ne kemi hasur në mirëkuptim dhe pa asnjë rezervë na janë dhënë në shfrytëzim duke filluar nga shtëpia ime, e cila ka qenë me plot anëtarë të familjes ka qenë në shërbim të UÇK-së, dhe shtëpitë tjera të cilat të gjitha kanë mund që UÇK t’i shfrytëzoj. Ne nuk kemi pasur kazerma dhe nuk kemi pasur vend për qëndrime të përhershme, por i kemi shfrytëzuar shtëpitë e fshatarëve për strehimin tonë gjatë periudhës së luftës së UÇK-së”, ka thënë ai.

Sopi ka thënë se ka qenë edhe vetë në kompleksin e Zllashit, por nuk e ka kujtuar në cilën periudhë.

Avokati mbrojtës i Salih Mustafës, Julius Von Bone e ka pyetur Sopin nëse gjatë periudhës mars-prill 1999 janë mbajtur njerëz të burgosur në Zllashë.

“Jam i bindur që nuk ka pasur”, ka thënë Sopi.

Ai është pyetur edhe nëse komanda e zonave ka dënuar personat, të cilët kanë shkelur rregullat e UÇK-së, për çka Sopi ka thënë se nuk është në dijeni nëse ka pasur ndonjë rast të tillë.

“Nuk e di ndonjë rast që dikush është dënuar në atë kuptimin për sa thash më parë, nuk kam njohuri që dikush është çarmatosur apo demobilizuar nga ushtria, por ne në shtab të brigadës i kemi biseduar këto sende, sepse këto janë masat që mund të merren nëse një ushtar i UÇK-së i shkel rregullat ose disiplinën ushtarake”, ka thënë ai.

Sopi gjithashtu ka thënë se nuk ka informacion nëse policia ushtarake e ka arrestuar apo mbajtur ndonjë person, por ka shtuar e njëjta në rast beteje ka qenë si të gjithë ushtarët e tjerë të angazhuar.

Sopi është pyetur edhe rreth Rrahman Dinit për të cilin ka thënë se një kohë ka qëndruar në shtëpinë e tij, ndërsa më vonë në atë të xhaxhait të Sopit e pastaj në spital për shkak të problemeve shëndetësore.

Gjithashtu ai është pyetur edhe për Isa Kastratin për të cilin ka thënë se ka qenë ushtar i UÇK-së dhe ka rënë dëshmor.

Dëshmia e Fatmir Sopit do të vazhdojë të dëgjohet edhe nesër në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai është dëshmitari i 11 i cili po dëgjohet në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës.

Sopi ka thënë se i ishte bashkuar UÇK-së që prej fillimeve të saj në vitin 1998 dhe ka kryer detyrën e organizatorit në rajonin e Gollakut, ndërsa sot është kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë.

Gjykimi i cili ka filluar më 15 shtator 2021 është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndërsa deri tani janë dëgjuar dhjetë dëshmitarë të mbrojtur të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Aktakuza ndaj Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator 2021, me pretendime për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024