Sonte “Opera Night” në Prishtinë, në skenë Elbenita Kajtazi dhe Jorge Puerta
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Sonte “Opera Night” në Prishtinë, në skenë Elbenita Kajtazi dhe Jorge Puerta
Rame Lahaj International Opera Festival vazhdon sonte (e diel) programin artistik me “Opera Night”, një mbrëmje e veçantë që do të mbledhë adhuruesit e muzikës klasike në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.
Nga ora 20:30, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë performancën e sopranos kosovare Elbenita Kajtazi dhe tenorit venezuelian Jorge Puerta, i cili i është bashkuar festivalit pas anulimit të pjesëmarrjes së tenorit Charles Castronovo për arsye shëndetësore, shkruan KultPlus.
I njohur për interpretimet e tij në role kryesore të repertorit operistik në teatro prestigjioze të Evropës dhe Amerikës Latine, Jorge Puerta do të performojë për herë të parë në skenën e Rame Lahaj International Opera Festival. Dy artistët do të shoqërohen në piano nga Jess Rucinski, ndërsa programi i mbrëmjes përfshin arie dhe duete nga disa prej kryeveprave më të njohura të operës botërore.
“Opera Night” është një nga ngjarjet e rëndësishme të edicionit të sivjetmë të festivalit, i cili vazhdon të sjellë në Kosovë emra të njohur të skenës ndërkombëtare dhe të promovojë artistët vendorë para publikut vendas dhe ndërkombëtar.
Koncerti do të mbahet sonte në ambientin e jashtëm të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe hyrja për publikun është falas.
Edicioni i sivjetmë i Rame Lahaj International Opera Festival zhvillohet nën moton “Play Music, Not War”, ndërsa do të kulmojë më 29 korrik me mbrëmjen gala “Rame Lahaj & Friends”
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.