Reshjet e shiut që kanë nisur nga dita e shtunë kanë sjellë probleme në disa komuna të vendit. Rajoni i Dukagjinit duket se është më i prekuri, ndërsa telashe janë raportuar edhe në Vushtrri e Mitrovicë. Rrugë të pakalueshme e deri të mungesa e ujit të pijshëm janë vetëm dëmet e para që tashmë dihen.
Autoritetet qendrore thonë se pas reshjeve të mëdha që shkaktuan edhe vërshime në shumë pjesë të vendit janë duke e monitoruar pandërprerë situatën në terren.
PEJË
Si pasojë e rritjes së nivelit të lumit Lumbardh, në komunën e Pejës janë tri pika kritike në të cilat ekipet kanë intervenuar ose po intervenojnë. Zyrtarë komunalë përmenden kanalin në Jabllanicë të Radavcit, në Vitomericë te shkolla ekonomike, si dhe kanalin te tregu i gjelbërt në të cilën ka pasur vëshime.
“Reshjet e mëdha atmosferike nga nata e mbrëmshme shkaktuan vërshime në disa zona të qytetit të Pejës. Megjithatë, situata aktualisht është e menaxhueshme dhe ekipet tona janë në gjendje gatishmërie”, tha Muhaxheri.
MITROVICË
“Brenda kapaciteteve tona jemi duke i marrë të gjitha masat e nevojshme, kemi mobilizuar të gjithë operatorët e nevojshëm dhe së bashku me ta jemi në terren. Reshjet e dendura kanë bërë që niveli i ujit në lumenjët e qytetit të Mitrovicës të rritet dhe kjo ka shkaktuar një situatë serioze prandaj jemi duke e vëzhguar situatën nga afër", është shprehur kryetari Hamza.
Komuna e Mitrovicës ka mobilizuar të gjithë operatorët dhe ka ngritur kapacitetet e saj në tejkalimin e kësaj situate të rënduar.
Ura në fshatin Vranoc i Vogël në komunën e Deçanit është e pakalueshme si pasojë e reshjeve të shiut, ndërsa vështriësi qarkullimi ka edhe nëpër fshatin Baballoq.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, u shpreh se janë duke monituoruar situatën dhe do të bëjnë gjithçka kanë në kapacitetet e tyre që të tejkalohet kjo situtatë.
GJAKOVA
Ndryshe nga herët e tjera, kur në raste reshjes ishte komuna më e prekur, kësaj radhe Gjakova deri në këto momente nuk ka raportuar për dëme të mëdhe. Vetëm rrugë që shpien drejt Moglicës, përkatësisht te pjesa e urës, uji ka dalë në siperfaqe.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” tha se janë mobilizuar që në orët e para të ditës në stabilizim të gjendjes.
ISTOGU
Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, deklaroi se së bashku me ekipet emergjente janë në teren duke bërë ndërhyrjet e nevojshme me makineritë që i kanë në dispozicion si komunë, bashkë me Zjarrëfikësit, Policinë e Kosovës, Hidrodrinin, Drinin e Bardhë si dhe ato të firmave private të Istogut të cilat janë vënë në gatishmëri të plotë.
Ferati pranoi se ka dëme të konsiderueshme në ekonomikë familajre por që ditëve në vijim do të ngrihen komisione që do të merren me evidentimin e dëmve.
VUSHTRRI
Fshati Pestovë ka qenë më i prekuri nga reshjet në komunën e Vushtrrisë. Banorët në këtë fshat i thanë KosovaPress-it se janë mundur me mjete private që të bëjnë zgjidhje për situatën e vështirë që po kalojnë.
“Bashkë me Drejtorinë për Emergjenca, që nga mëngjesi jemi nëpër fshatra e qytet për të parë nga afër gjendjen e lumenjve pas reshjeve të mëdha të shiut. Falënderoj të gjithë operatorët vushtrrias që me makineritë e tyre janë në gjendje gatishmërie për intervenim”, tha kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
MALISHEVA
“Vërshimet si një fenomen natyror që janë, me vështirësi menaxhohen, jo vetëm në Malishevë por kudo në botë, dhe për këtë fakt ne kërkojmë mirëkuptim qytetar, dhe shpresojmë që dëmet të jenë sa më të vogla”, tha Kastrati.
Ai shprehur mirënjohje për trupat emergjente, institucionet shëndetësore, policinë në Malishevë, operatorët ekonomikë dhe gjithë vullnetarët që, siaps tij, po bëjnë të pamundurën që akset rrugore të jenë të kalueshme dhe qytetarët të marrin shërbimet e nevojshme.