Situata në veri, Abdixhiku takoi ambasadorin e Britanisë
Lexohet për: 2 min.
Abdixhiku Abbott
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott. Ata kanë diskutuar për situatën në veri të vendit.

Kreu i LDK-së ka ritheksuar se në këtë situatë, koordinimi i Kosovës me aleatët është domosdoshmëri.

“Kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Abbott për qëndrimin e LDK-së për tensionet në veri si dhe nevojën që në momente të tensioneve e provokimeve nga Serbia, ecja e përbashkët me aleat për të përballuar një krizë është domosdoshmëri. Në këtë moment, Kosovës i duhen gjithë miqtë e saj; përplasja me ta është devijim strategjik e dështim diplomatik me pasoja afatgjata”, ka bërë të ditur LDK.

Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë.

Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian derisa kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri.

Javën që shkoi, u bë e ditur kërkesa e ndërkombëtarëve për  zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës.

Ndërsa të hënën dhe të martën në Kosovë ka qëndruar emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Në takim me kryeministrin Albin Kurti, ata kanë paraqitur një propozime tri elemente. I pari është de-eskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna si dhe rikthimi në dialog.

Pas takimit, të dy deklaruan se faktori ndërkombëtar është unik në këto kërkesa dhe shpresojnë se të njëjtat do të dëgjohen.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025