Situata me zjarret në Shqipëri vijon të jetë kritike, teksa në 24 orët e fundit janë evidentuar 20 vatra. Sipas Emergjencave Civile është bërë e mundur shuarja e 6 vatrave, teksa 14 prej tyre vijojnë të jenë aktive, kryesisht në zona të thella të bashkive Bulqize, Skrapar, Shkodër dhe Selenicë.
Në mbështetje te Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Forcave të Armatosura si dhe ekipeve të pushtetit vendor, ditën e sotme u angazhuan edhe avioni rumun C-27J Spartan.
Në fshatin Rajë dhe Geghysen, në bashkinë e Tropojës vatra e zjarrit është izoluar, por vazhdon monitorimi nga forcat bashkiake. Nuk paraqet rrezik për përhapje.
Në Bjeshkën e Bollotekut në afërsi të Lumit Gashit vatra është aktive në pyje ahu dhe pishë e zezë. Vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrës që për shkak të terrenit mori përmasa.
Në fshatin Luzni të bashkisë Dibër vatra është izoluar dhe po mbahet nën kontroll nga forca të Administratës Rajonale e Zonave të Mbrojtura.
Në fshatin Ujanik, në bashkinë e Skraparit, zjarri është aktiv për shkak të terrenit shkëmbor dhe pjerrësisë, gjë që e bën tejet të vështirë ndërhyrjen e forcave nga toka. Vatra po zhvillohet në drejtim të “Vendit të Shenjtë”, ku është stacionuar një mjet zjarrfikës.
Një vatër zjarri në drejtim të fshatit Sopik, të njësisë administrative Pogon, flakët e të cilit kanë mbërritur nga territori grek, po mbahet nën monitorim.
Në fshatin Sinanaj, zjarri i rënë në një sipërfaqe pyjore, nuk përbën rrezik për përhapje. Pa rrezikshmëri paraqitet edhe vatra në fshatin Reshepaj, të bashkisë Selenicë.
Në vendin e quajtur “Bjeshkët e Gjurajve”, në bashkinë e Shkodrës, zjarri po zhvillohet në një sipërfaqe pyjore në terren të thepisur dhe të vështirë për të operuar. Zjarri po monitorohet nga strukturat vendore të bashkisë Shkodër. Nuk paraqet rrezik për banesa.
Zjarri në vendin e quajtur “Guri i Nënshtegut”, në fshatin Theth, po mbahet nën monitorim nga forcat operacionale dhe vullnetare./RTSH