Simbolet shtetërore të Kosovës nuk mbulohen më në targa gjatë hyrjes në Serbi
Lajme
Lexohet për: 3 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua
Qytetarët e Kosovës kanë filluar të lëvizin në territorin e Serbisë, pa i mbuluar simbolet shtetërore me ngjitëse tek targat zyrtare të vendit tonë.
Në pikën kufitare me Serbinë, në Merdare, automjetet me targa të Kosovës kaluan në territorin serb me simbolet shtetërore të Kosovës, pas vendimit që mori ditë më parë Qeveria e Serbisë, që të lejohet një gjë e tillë.
Këtë lajm e ka komentuar edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, i cili ka thënë se nga sot, qytetarët tanë do të mund të lëvizin tashmë të padiskriminuar nga autoritetet serbe, me targat tona zyrtare RKS dhe pa vendosur ngjitëset në simbolet shtetërore në targat e veturave.
“Ky ishte pozicioni ynë që nga fillimi e kjo u realizua pas 2 vitesh tensione të panevojshme”, ka shkruar ai në X.
Gjithashtu, Fidan Hoti tha se ka pritur pesë orë në kufi, ndërsa heqjen e ngjitësve e komentoi si procedurë më të lehtë.
Ndërkaq, Bedri Sahiti tha se ka pritur katër orë në Kroaci. Ai shtoi se heqja e vizave ka qenë një punë e mirë.
Po ashtu, Egzon Neziraj u shpreh për KosovaPress, se tash munden të shkojnë te familjarët që nuk kanë pasur mundësi. Ai komentoi edhe vendimin e reciprocitetit të Qeverisë së Kosovës për targat, i cili ende është në fuqi dhe serbët në automjete, duhet t’i vendosin ngjitëset në momentin që hynë në territorin e Kosovës, duke thënë se Qeveria fare mos ta heq atë vendim.
Në këtë pikë kalimi, sot ka pasur edhe kolona me automjete në dalje të Kosovës, që ishin kryesisht nga bashkatdhetarët tanë.