Siguria në shkollat e Kosovës shqetësuese, ekspertët tregojnë çfarë duhet ndërmarrë
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Siguria në shkollat e Kosovës dhe rreth saj mbetet shqetësuese, pasi vetëm për gjashtë muaj nga Policia e Kosovës janë regjistruar mbi 230 raste, ku përfshihen incidente dhe vepra penale, në të cilat janë përdorur armë të ndryshme.

Policia e Kosovës i ka thënë KosovaPress-it, gjatë këtyre gjashtë muajve janë evidentuar lëndime të rënda trupore, vjedhje, kanosje dhe sulme nga më të ndryshmet.

“Policia e Kosovës, gjatë gjashtëmujorit të fundit ka evidentuar 236 incidente në shkolla dhe për rreth tyre. Policia të gjitha incidente i trajton bazuar në procedurat policore, aty ku ka elemente të veprave penale, inicion raste penale të cilat trajtohen në koordinim me institucione tjera” thuhet në përgjigjen me shkrim të Policisë.

Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja ka thënë për KosovaPress, tha se problemi i dhunës dhe sigurisë së nxënësve në shkolla, ka nevojë për një qasje dhe përkujdesje institucionale.

Ai tha se bashkëpunimi në mes mësimdhënësve dhe psikologëve të shkollave, rezulton me identifikim sa më të hershëm të problemeve në shkolla, derisa shtoi se mësimdhënësit duhet të trajtohen dhe të marrin përkrahjen e duhur nga MASHT-i, për të trajtimin e rasteve të dhunës në shkolla.

Qehaja u shpreh se përgjegjësia për rastet e sigurisë në shkolla i takon edhe pranisë së psikologëve në shkolla. Sipas tij, shkollat kanë nevojë për psikologë të cilët marrin seriozisht rastet e nxënësve dhe jo psikologë, të cilët qëndrojnë të mbyllur në zyre.

Po ashtu, edhe Naile Rrustolli, psikologe e fëmijëve u shpreh se disiplina e fëmijëve në shkolla ka të bëjë edhe me mbështetjen familjarët e tyre,  por rolin kryesor e kanë shkollat për ambientin të cilin i ofrojnë nxënëseve.

Ajo tha se nëse do të ishte rritur prezenca e psikologëve në shkolla, edhe rastet e dhunës së fëmijëve do të ishin më të pakta.

Ndërkaq, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati tha se përpos kamerave të vendosura në shkolla, këtë vit kanë filluar me implementimin e disa metodave në mes mësimdhënësve dhe prindërve për të zbuluar problemet më të cilat hasin nxënësit, në mënyrë që më pas të raportohen te psikologët.

Përndryshe, kohëve të fundit Policia e Kosovës ka organizuar disa aksione të kontrollit të nxënësve pranë shkollave në kryeqytet, ku edhe ka hasur në disa armë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024