Përjetimi i ankthit, stresit dhe depresionit ndikojnë negativisht në shëndetin mendor dhe ato vijnë si rezultat i lodhjes psikike në vendin e punës, ka deklaruar drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, Faton Kutllovci në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor.
Kutllovci thotë për KosovaPress se një hulumtim i kryer nga shoqata e infermierëve të Kosovës gjatë vitit 2022 tregon se niveli i stresit është rritur në rreth 45 për qind, por kjo shifër mund të jetë rritur ende në dy vjetët e fundit.
Në shëndetin mendor, sipas drejtorit të psikiatrisë në QKUK, po ndikojnë edhe lajmet “bombastike”. Kutllovci apelon që të ketë kujdes në trajtimin e lajmeve mbi dhunën familjare, rastet e vrasjeve dhe vetëvrasjeve, pasi kemi të bëjmë me tema tepër të ndjeshme.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tema që ka qenë e përzgjedhur këtë vit është, shëndeti mendor në vendin e punës, që i referohet stresit të vazhdueshëm. Nëse keni problem me shëndetin mendor referohuni te psikologu apo psikiatri. /A. Shala/