Lajmet e rreme duhet të na shqetësojnë të gjithëve dhe e vetmja mënyrë është që t’i luftojmë në mënyrë aktive. Kështu ka thënë për KosovaPress, historiani nga SHBA, Jason Steinhauer, i cili ka theksuar se pjesa më e madhe e dezinformatave synojnë të nxisin armiqësi dhe tensione midis grupeve me qëllim që të nxisin dhunën në botën reale.
Historiani nga SHBA, Jason Steinhauer thotë për KosovaPress, se dezinformimi në rrjete sociale shkakton dëme dhe mund të jetë shumë i rrezikshëm.
Për parandalimin e dezinformimit ai ka thënë se duhet të ketë rregullore dhe arsim mediatik. Sipas tij, duhet mendim kritik dhe mënyra tjera për të kërkuar informacionin, çoftë në gazeta profesionale, biblioteka apo arkiva.
“Ne duhet të kemi një qasje të shumanshme. Ne duhet të kemi rregullore, duhet të kemi arsim, duhet të kemi arsimim mediatik, duhet të mësojmë të menduarit kritik dhe duhet të sigurohemi që të kemi vende të tjera, ku njerëzit mund të mësojnë, qoftë në një klasë, një mjedis universitar dhe ne duhet të sigurohemi që po investojmë në ato mjedise, në mënyrë që njerëzit të mos mbështeten vetëm në mediat sociale, por edhe të gjejnë mënyra të tjera për të kërkuar informacion, qoftë në gazeta profesionale, biblioteka, universitete, arkiva ose në komunitetet e tyre,” shton ai.
“Këto lloj tregimesh në fakt mund të çojnë në dhunë në botën reale që lëndon dhe dëmton njerëzit. Mendoj se qëllimi ynë duhet të jetë ta parandalojmë këtë. Ne duam të gjejmë mënyra se si mund të jetojmë në harmoni me njëri-tjetrin. Dhe pjesa më e madhe e dezinformatave që shohim synojnë qëllimisht të nxisin armiqësi dhe tensione midis grupeve me qëllim që të nxisin dhunën në botën reale. Dhe kjo është diçka për të cilën të gjithë duhet të shqetësohemi dhe të luftojmë në mënyrë aktive kundër saj,” shprehet ai.