Është shtyrë raportimi i ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe përfaqësueseve të Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore, të cilët kanë pasur që të raportojnë sot (e mërkurë) në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me realizimin e të hyrave për vitin 2023.
Raportimi nga ana e ministrit Murati është shtyrë për shkak se i njëjti ishte në takim me kryetarët e komunave. Kështu ka thënë kryetari i këtij komisioni, Armend Muja, i cili ka kërkuar që raportimi i ministrit Murati të mbahet të premten.
Deputeti i PDK, Mergim Lushtaku, ka thënë se është mirë që në Komision të ketë një raport se si ka shkuar kompensimi i dëmeve që janë shkaktuar nga vërshimet, pasi sipas tij, nuk dihet sa ka transparencë në këtë pjesë.
Në anën tjetër, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) Avdullah Hoti ka kërkuar që në raportim të thirret edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, për rregulloren e re të BQK-së dhe për zgjedhjen e zëvendës guvernatorit në këtë institucion.