Zgjerimi i Bashkimit Evropian për të përfshirë nëntë shtete të reja, përfshirë Ukrainën, do t'u kushtonte shteteve anëtare ekzistuese më shumë se 256 miliardë euro, bazuar në llogaritjet e brendshme.
Kostoja e madhe e zgjerimit është zbuluar ndërsa 51 liderë evropianë shkojnë në Granada në Spanjë për një mbledhje të Komunitetit Politik Evropian dhe për të diskutuar hapat e ardhshëm për nëntë shtetet fqinje që janë në radhë për t'u bashkuar me BE.
Ukraina, deri tani vendi më i madh nga nëntë vendet që janë pranuar si kandidatë të mundshëm, do të kishte të drejtën për 186 miliardë euro gjatë shtatë viteve, sipas gazetës.
Zgjerimi është bërë një nga temat më urgjente për BE-në, me liderët që takohen të premten për të diskutuar se si të drejtohet debati për çështjet kyçe, duke përfshirë buxhetin, numrin e vendeve në parlamentin evropian, dhe të ardhmen e politikës së përbashkët bujqësore.
Në fillim të kësaj jave, kryediplomati i BE-së tha se ai kundërshtoi ata që favorizonin një proces gradual anëtarësimi, duke thënë se do të ishte e pamundur të zbatohej. “Anëtarësimi është anëtarësim. Pikë”, tha ai në një takim në Ukrainë.
Një diplomat i lartë tha për The Guardian se buxheti pritej të ishte tema e vetme e diskutueshme dhe duhej të zgjidhej deri në vitin 2027, kur do të fillonte cikli i ardhshëm financiar. Në këtë mënyrë BE-ja mund të tregonte se ishte gati, duke hequr çdo justifikim për të vonuar diskutimet e mëtejshme nëse dhe sa shpejt mund të bashkoheshin Ukraina, Moldavia dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Ka shqetësime se ndërsa BE-ja ka përcaktuar objektivat e reformës për Ukrainën, Moldavinë dhe shtatë vendet e tjera në radhë për t'u bashkuar me bllokun, ajo ende nuk ka dhënë propozime të detajuara për ndryshimet e nevojshme në shtetet anëtare.