Shtesat për lehonat e fëmijët, deklarohet ministri Murati
Lexohet për: 2 min.
Hekuran Murati - Konferenca per media (2 of 11)
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka folur mbi shtesat për nënat lehona dhe fëmijët, të cilat kanë në hyrë në fuqi tri vjet më parë.

Ai ka thënë se Qeverisja Kurti ka siguruar financat e nevojshme për shtesat, të cilat fillimisht ishin dhjetë euro dhe më vonë ato u ngritën në 20, përkatësisht 30 euro.

“Përgjigjen e kishim të thjeshtë: do ta ndalim hajninë, dhe buxheti bëhet vetvetiu. Nëse në të kaluarën sigurohej buxheti për të paguar 53 milionë euro ndëshkime, pse do duhej të ishte e pamundur të siguroheshin 50 milionë euro për nëna dhe fëmijë?! Kur e siguruam buxhetin dhe filluam zbatimin, thanë “eh po, 10 euro s’janë asgjë, nuk mjaftojnë”, duke harruar që ata vetë për 20 vite nuk arritën as këto 10 euro t’i jepnin si mbështetje për fëmijët”, ka shkruar Murati në Facebook.

“Kur e panë që nënat dhe fëmijët e mirëpritën mbështetjen, ani pse ishte vetëm 10 euro, cinikët thanë, “eh po, banka po ua merr 3 euro” thuajse para shtesave nuk kishte pasur tarifa bankare. Por, e rregulluam edhe këtë problem duke lansuar llogaritë bazike pa pagesë ose me pagesë simbolike”, ka shtuar ai.

Murati ka thënë se në vitin e tretë të zbatimit të masës shtesat janë dyfishuar në 20 euro për fëmijë, për familjet që kanë deri në dy fëmijë, dhe trefishuar në 30 euro për fëmijë për familjet me tre apo më shumë fëmijë.

“Nga një premtim për të cilin na thanë se s’bëhet, tani mbi 10 milionë euro shkojnë në llogaritë e familjeve me fëmijë, çdo muaj. Kjo, pra, është Qeveria për të gjithë”, ka përfunduar ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024