Shtesat për fëmijë e pensionistë, Tahiri i reagon Kurtit: Janë shtesa të promovimit të varfërisë
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke i përdorur shtesat si mjet për menaxhimin e pakënaqësive në rritje te qytetarët.
Tahiri në një postim në Facebook ka shkruar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e shtesave prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët.
“Çka janë 100 euro shtesa përballë kushteve të vështira të pensionistëve dhe fëmijëve. Je kah i përdorë shtesat si mjet i menaxhimit të pakënaqësive në rritje. Për tri vite qeverisje, asnjë rritje pensioni apo page. Shtesat tua janë shtesa të promovimit të varfërisë. Me këto shtesa ju edhe këtë herë dëshmoni që nuk keni asnjë qëllim dhe asnjë plan për rritje të pensioneve dhe pagave”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se këto shtesa mundësojnë lehtësira për një ditë, ndërsa 364 të tjera janë të vështira.
“Tri vjet pallavra dhe tri vjet mashtrim po dëshiron t’i mbyllë me kozmetikë të PR-it. Pra, lëri mashtrimet, mos kujto që me një ditë lehtësimi me 100 euro të buxhetit, do të harrohen 364 ditë të vështira për secilin prej atyre që do t'i mashtrosh”, ka shkruar Tahiri.