Të pasionuarit pas ngjitjeve dhe turizmit malor nuk duhet të humbasin gjatë pranverës kalimin në Shishtavec-Çajë, që njihet edhe si “Shtegu i Ngjyrave”.
Agjencia Kombëtare e Turizmit ka ndarë së fundmi në rrjetet sociale pamje nga ky shteg, i cili vizitohet nga mijëra turistë shqiptar e të huaj.
Ky shteg është destinacioni turistik më i vizituar, falë promovimit të vazhdueshëm.
Shtegu i Ngjyrave kalon nga bjeshkët e Çajës të Kukësit dhe vazhdon deri në Fushën e Korabit. Afër këtij shtegu ndodhet edhe trekëndëshi ndërkufitar Kosovë-Shqipëri-Maqedoni e Veriut. Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri).
Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë.
Gjurmët e këtij shtegu vijnë që nga lashtësia në kohën e krishtërimit. Mendohet se është një shteg 2400-vjeçar, i quajtur ”Scardus” nga romakët, që në latinisht do thotë plot ngjyra, për shkak të luleve të shumta dhe peizazhit që krijohet në stinë të ndryshme, shkruan Atsh I pozicionuar në jug të maleve të Sharrit, mendohet që kjo hapësirë të jetë ndër kullotat alpine më të mëdha në Evropë.