Mitrovicasit nga të dyja pjesët e qytetit kanë reagime të përziera rreth takimit të fundit në Bruksel, midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Derisa shumica prej tyre shprehen të kënaqur për takimin, duke thënë se është e rëndësishme vetëm të mos ketë konflikt, por paqe për të gjithë qytetarët pa dallim, të tjerët e shohin me dyshime takimin dhe epilogun e bisedimeve në përgjithësi.
Sipas tij, shqiptarët dhe serbët duhet të jetojnë së bashku në paqe, ndërsa akuzon politikanët se po e shtrembojnë të vërtetën gjatë deklaratave të tyre.
‘Në parim jam i kënaqur, ndonëse nuk e di sakë çka është nënshkruar dhe çka jo, çka janë marrë vesh dhe cilat janë afatet kohore, megjithatë mendoj se jemi duke shkuar në drejtim të duhur…Më mirë 100 vjet bisedime sesa një ditë luftë. Ne duhet të jetojmë me fqinjët tanë shqiptarët në paqe, prosperitet, tre gjenerata tona kanë jetuar në Kosovë me shqiptarë dhe kurrë problem s’kam pasur, dhe besoj se as në të ardhmen nuk do të kemi…Politikanët për fat të keq po e shtrembojnë të vërtetën, dhe secili interpreton qysh atij i konvenon, varësisht nga politikat ditore, i frikohen votuesve të tyre, opozitës, etj’, shprehet Llaketic.
‘Jam i kënaqur (me takimin në mes të Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel), për shkak se me rëndësi është që bisedimet po zhvillohen, dhe derisa ato të zhvillohen shpresojmë në një zgjidhje paqësore…Veç të jetë paqe dhe të mos ketë konflikt, asgjë tjetër’, thekson Boshkoviq.
Ndërkaq, një qytetar që prezantohet vetëm si serb i Kosovës, ndonëse pranon se bisedimet janë alternativë e vetme, bën të ditur se nuk sheh bisedime të sinqerta dhe bashkëpunim të mirëfilltë mes Kurtit dhe Vuçiqit.
Në anën tjetër, Suada Ibrahimi nga jugu i Mitrovicës, beson se bisedimet do të kenë patjetër sukses dhe gjithçka do të përfundojë mirë për të gjithë qytetarët pa dallim,
Ajo e mbështet fuqishëm mendimin e saj, duke pasur parasysh ndërmjetësimin e SHBA-së në këto bisedime.
Habib Meholli thotë se takimet Kurti - Vuçiq do të reflektojnë paqe dhe mirëqenie për qytetarët, por vetëm nëse pala serbe është vërtetë e sinqertë në këto bisedime.
‘Nënshkru nuk është asgjë, bile as ato shkronjat fillestare, por prapë se prapë një hap para është bërë… Për qytetarët do të jetë më mirë shpresojmë, nëse në prapavijë nuk ka diçka të organizuar ndonjë poshtërsi tjetër si zakonisht që dinë me i bë’, potencon Meholli.