Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se çmimi i karburantit ka pësuar rritje si pasojë e krizës globale që ka ndikuar drejtpërdrejt zinxhirin e furnizimit të naftës.
Në episodin e radhës të podkastit “Flasim”, Rama theksoi se qeveria ka marrë masa konkrete për të mbrojtur konsumatorët dhe për të parandaluar abuzimet në treg.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu masat e përkohshme për uljen e çmimit të karburantit, si ulja e nivelit të akcizës me rreth 20%, për të lehtësuar barrën mbi përdoruesit e automjeteve.
Ai theksoi se të ardhurat e shtetit nga rritja e çmimit, pas uljes së akcizës, do të përdoren kryesisht për mbështetjen e pensionistëve.
Rama vuri në dukje se qeveria po përgatit edhe projektligjin për rezervat strategjike, i cili ndodhet në konsultim publik, dhe po planifikon ndërhyrje të reja në tregun e karburanteve për të garantuar ekuilibrin e çmimit dhe transparencën e lëvizjeve të naftës në vend.
Ai shtoi se ndërhyrjet do të luftojnë fenomenin e evazionit dhe kontrabandës së naftës, duke vendosur rregulla më të rrepta për tregun dhe duke mbrojtur qytetarët dhe përdoruesit e ligjshëm të karburantit.
Kryeministri siguroi se me fakte shumë shpejt do të tregojë që ndërhyrja ka qenë në të mirë të shoqërisë, shkruan ATSh.
“Ne do të ndërhyjmë dhe besojmë shumë që në një periudhë jo shumë të largët, do të tregojmë me fakte, që ndërhyrja ka qenë një ndërhyrje në të mirë të shoqërisë, në të mirë të përdoruesve të automjeteve të konsumatorëve të naftës, po mbi të gjitha, në të mirë të të gjithë atyre që nuk ndotin dhe nuk ia kanë për borxh atyre që ndotin, duke ngarë makina me naftë që në ndërkohë të paguajnë një pasojë, të cilës ne duam t’i japim fund”, theksoi Kryeministri.