Shqipëria është zyrtarisht anëtare e Qendrës evropiane të ekselencës kundër kërcënimeve hibride në Helsinki.
Kjo pasi Igli Hasani, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë vizitoi sot Qendrën për t'i dorëzuar Letrën e Njoftimit drejtoreshës Teija Tiilikainen, duke e bërë zyrtarisht Shqipërinë shtetin e 36-të pjesëmarrës.
“Ne jemi të kënaqur që i bashkohemi Hibrid CoE, i cili tani përfshin të gjithë aleatët e NATO-s dhe vendet anëtare të BE-së. Ky nënkupton një hap shumë të rëndësishëm përpara për Shqipërinë dhe ne jemi të prirë të kontribuojmë në misionin jetik të Qendrës”, tha ministri Hasani.
Ndërsa Tiilikainen në emër të Hibrid CoE tha se Shqipëria do të ndihmojë Qendrën të përmbushë mandatin e saj në luftën kundër kërcënimeve hibride.
Përveç Shqipërisë, Qendra e ekselencës përfshin edhe këto shtete pjesëmarrëse: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kanada, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Qendra bashkëpunon ngushtë me BE-në dhe NATO-n.
Anëtarësimi në Qendrën evropiane të ekselencës është mirëpritur nga kryeministri Edi Rama, i cili në Facebook tha se anëtarësimi kompleton pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të BE-së dhe NATO-s në këtë organizatë, për të mundësuar një qasje të unifikuar mes aleatësh kundër kërcënimeve hibride, dezinformimit dhe manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.