Gjatë periudhës qershor-korrik të këtij viti janë shënuar 125 vatra zjarri në Shqipëri, ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi. Ndërsa kritike situata me zjarret po konsiderohet të jetë në Vlorë dhe në Fier.
Peleshi, bashkë me kreun e Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Shqipërisë, Haki Çako, kanë mbledhur në takim prefektët dhe kryetarët e bashkive, me të cilët kanë diskutuar për situatën e krijuar nga zjarret.
“Gjatë periudhës qershor korrik, kur është edhe fillimi stinës së zjarreve ka pasur 125 vatra zjarri, të cilat janë përballua shumë mirë nga njësitë vendore, ne kemi qenë në dispozicion sa herë kemi kërkuar por pjesa më e madhe përballohet nga ju, ndaj jeni sot në këtë takim, dhe jeni pjesa më e rëndësishme, struktura më e rëndësishme për eliminimin, parandalimin e emergjencave civile, në këtë rast të zjarreve. Sot kemi dy zjarre aktive dhe shumë kritike siç thash në pyllin pranë fshatit Peshtan dhe fushën e mbetjeve”, ka thënë ai.
Ndërsa, Çako ka thënë se gjatë qershorit dhe korrikut janë shënuar 125 vatra zjarri, 45 prej të cilave vetëm në tre ditët e fundit dhe në tokat bujqësore kryesisht, në sipërfaqe pyjore dhe kullota.