Gjatë operacionit u godit rrjeti që prodhonte dhe shpërndante drogë në formë karamelesh pranë shkollave në Durrës të Shqipërisë, njofton Policia e Shtetit.
Gjatë një operacioni policor “Shije e hidhur”, bëhet e ditur se, janë vën në pranga dy vëllezër dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Sipas policisë, në përmbushje të një prej prioriteteve e kryesore , atë të sigurisë së jetës dhe shëndetit të nxënësve në shkolla, duke parandaluar dhe goditur fenomenet negative me fokus lëndët narkotike, bazuar dhe në informacionet siguruara në rrugë operative, nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, u bë i mundur finalizimi i operacionit policor të koduar “Shije e hidhur”.
Sipas këtij autoriteti atje, gjatë operacionit është zbuluar një bazë e përpunimit të drogave sintetike si dhe është goditur grupi që prodhonte dhe shpërndante drogën sintetike pranë shkollave të mesme.
Më tej thuhet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përgatitur kushtet për përpunimin e lëndëve narkotike, duke arritur të prodhonin lëndë narkotike sintetike në formë xhelatine (“karamele”).
“Secili nga shtetasit kujdesej për krijimin e kushteve për ushtrimin e aktivitetit të jashtëligjshëm, konkretisht për prodhimin, transportimin dhe shitjen e lëndës narkotike, kryesisht te moshat adoleshente”, thuhet në raport.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtyre shtetasve në Tiranë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, xhelatine në formë karameleje; lëndë narkotike kanabis; 550 gramë material sintetik i gatshëm për prodhimin e karameleve sintetike me lëndë narkotike; një peshore elektronike; kallëpe plastike si ato që përdoren për dhënien e formës së karameleve; si dhe përbërës të ndryshëm që shërbejnë për prodhimin e karameleve me lëndë narkotike sintetike.
Më tej thuhet se nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe dokumentimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.