Në sallën e koncerteve Crocus City Hall pranë Moskës, pati të shtëna dhe u dëgjua një shpërthim, njoftuan sot agjencitë ruse të lajmeve, duke cituar shërbimet e urgjencës. Agjencitë ruse raportojnë, duke cituar FSB-në, se të paktën 40 persona u vranë në sulm dhe më shumë se 100 u plagosën. Disa persona hapën zjarr me armë automatike mbi civilët në hollin e sallës. Në vendngjarje kanë mbërritur 50 autoambulanca dhe forca speciale të Gardës Kombëtare. Salla është ende duke u djegur, dhe çatia po shembet. Sipas agjencive ruse, në sallë ka më shumë njerëz.
Agjencia kryesore shtetërore e hetimit të krimit të Rusisë, Komiteti Hetues, tha se po hetonte sulmin, të cilin e përshkroi si një sulm terrorist. Komiteti nuk tha se kush mund të jetë përgjegjës për sulmet. Situata në Moskë u komentua edhe nga John Kirby, këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit amerikan Joe Biden. "Deri më tani nuk ka indikacione se Ukraina apo ukrainasit janë të përfshirë në sulm. Ne po e monitorojmë situatën nga afër, por në këtë fazë të hershme dua t'ju siguroj se kjo nuk është në asnjë mënyrë e lidhur me Ukrainën," tha Kirby.