Pesë persona janë ndaluar nën dyshimin për kontrabandim të mallrave, prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor, si dhe mashtrim të blerësve. Operacioni i gjerë i Policisë së Kosovës është realizuar në lokacione të ndryshme në Prishtinë, Ferizaj dhe Prevallë.
Personat me inicialet K.Gj, E.Gj, Q.Sh, M.Sh dhe E.I, dyshohet se nga marsi i vitit 2023, përmes pikës kufitare që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, kalojnë vijën kufitare duke bartur mallra dhe shmangin kontrollin doganor.
Sipas Prokurorisë, malli i kontrabanduar ishte vënë në qarkullim për shitje, pa u bërë kontrolli i nevojshëm nga enti i autorizuar.
“Të njëjtit, gjatë periudhës kohore të lartëcekur, në Ferizaj dhe në vende të ndryshme nëpër Kosovë, mallin e kontrabanduar e vëjnë në qarkullim për shitje pa u bërë kontrolli i nevojshëm nga enti i autorizuar- AUV në Kosovë, duke e plasuar nëpër lokale të ndryshme nëpër Ferizaj dhe nëpër vende të tjera në Kosovë duke qenë të vetëdijshëm se mjalti i kontrabanduar nuk i plotëson kushtet e nevojshme për konsum dhe se përmbanë substanca të dëmshme për shëndetin dhe paraqet rrezik të madh për shëndetin e qytetarëve të cilët e blenë këtë produkt, me këtë ekziston dyshimi i arsyeshëm që secili veç e veç ka kryer veprën penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë” nga neni 261 1 dhe 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Prokuroria.
“Të njëjtit, gjatë kësaj periudhe, në Ferizaj dhe në vende të ndryshme nëpër Kosovë, me dashje dhe me qëllim të mashtrimit të blerësve vënë në qarkullim prodhime me shenjën në të cilën janë të shënuara të dhëna të cilat nuk i përgjigjen përmbajtjes, llojit, prejardhjes dhe kualitetit të produktit, me këtë ekziston dyshimi i arsyeshëm që secili veç e veç ka kryer veprën penale “Mashtrimi i blerësve” nga neni 293 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Prokuroria.