Sheshet e Prishtinës sot kanë qenë plot. Të rinj e të vjetër, nga treva të ndryshme shqiptare, sot kanë ardhur në kryeqytet për të kremtuar 15-vjetorin e pavarësisë së vendit. Ata janë shprehur të gëzuar dhe të kënaqur, por kanë theksuar se duhet punuar më shumë.
Qytetari Esat Aliu për KosovaPress, ka deklaruar se për të festuar këtë ditë, është pritur me vite të tëra. Ai është shprehur i kënaqur me zhvillimin e vendit, derisa ceremoninë e parakalimit të FSK-së e ka quajtur madhështore.
Ndërsa, qytetari nga Prishtina, Idriz Fazliu është shprehur se Qeveria nuk është duke e bërë punën ashtu siç duhet. Ai ka thënë se Evropanuk të ndihmon gjithmonë dhe se duhet, “ta mbash veten”.
“Sot e festuam por këta udhëheqësia nuk e kanë festuar fare. Nuk kanë dalur fare, as nuk kanë dalur kurrë. Por, me qenë këta që punojnë, mirë do ta kemi, por nëse këta punojnë keq, atëherë as për neve nuk do të jetë mirë. Ne nuk kemi shkuar në Serbi, për t’i vrarë fëmijët, për tu dhunuar gratë, dhe burrat, me javë, dhe të ua shuajmë pasurinë, por ata na e kanë bërë këtë neve. Tash, se si janë duke u “kacafytur” mes vete, nuk kam aspak vullnet, por nëse ata do të ishin bashkë, ne do kishim shkuar më lartë. Evropa të mbanë, por gjithë ajo nuk të mbanë, andaj ti duhesh ta mbashë veten”, ka potencuar Fazliu.
“Ne kemi ardhur nga Presheva, sidomos në këtë ditë për ta festuar. E ndjejmë vetën shumë krenarë që kemi mbërri deri në këtë ditë, në çlirimin e Kosovës. Ne jemi të kënaqur, por duhet të punojmë që të jemi edhe me të kënaqur. Gjithmonë prioritet është “punë punë natë e ditë që të shohim pakëz dritë”, puna mbi të gjitha është dhe dashuria ndaj këtij shteti”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, atmosferën e kësaj dite, qytetarët e kanë shprehur edhe me këngë e valle.