Sot, në Prizren u mbajt manifestimi qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Aty u tha se kjo lidhje është shndërruar në platformë të fuqishme nacionale, ka projketuar krijimin e një shteti shqiptar dhe se ka shërbyer si model i përhershëm.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh e nderuar që mund të urojë të gjithë shqiptarëve 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, siç tha ajo, pikërisht nga vendi që në kujtesën e çdo shqiptari simbolizon vendin e lidhjes së përhershme me njëri-tjetrin.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se data e 10 qershorit i kthen gjithmonë në Prizren për të kujtuar Lidhjen Shqiptare, e cila është themeluar pikërisht më 10 qershor të vitit 1878.
Në manifestimi qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kurti deklaroi se 10 qershori është në regjistrin e datave të rëndësishme siç është 28 nëntori dhe 17 shkurti.
Ai tha se vetëm të lidhur rreth Lidhjes së Prizrenit mund të avancohen interesat me aleatët.
Ndërsa, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi se Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një prej ngjarjeve të jashtëzakonshme të historisë së kombit shqiptar.
Për nder të shënimit të 145-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u prezentua edhe një ekspozitë.
Në manifestimin qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mori pjesë edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, zëvendëskryeministra e ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, si dhe qytetarë të shumtë të trojeve shqiptare.
Ndryshe, sot, mbushen 145 vjet që kur më 10 qershor të vitit 1878 ka filluar organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15. Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtar shqiptar./KosovaPress