Në prag të 25-vjetorit të sulmeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, ish-zëdhënësi i NATO-s, gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea thekson se ishte vendim i duhur bombardimi i forcave serbe në vitin 1999, ndërsa tani situatën në Evropë e konsideron mjaft të rrezikshme. Ndërkohë, Shea u shpreh se BE-ja duhet t`i heqë masat ndaj Kosovës, kurse anëtarësimi në NATO i Kosovës duhet të ndodhë më shpejt.
Sipas tij, masakra në Reçak shënoi pikën kthyese në brutalitetin e saj dhe regjimi i Millosheviqit kishte refuzuar paqen e kompromisit. Ai në një intervistë për ‘RTKlive’, thotë se populli i Kosovës gjatë 25 viteve ka qenë në gjendje të jetojë në paqe dhe siguri tregon se ndërhyrja e NATO-s pati sukses. Në këtë intervistë ai flet për mohimin e krimeve që Serbia i ka kryer ndaj popullit të Kosovës.Për mundësinë që Kosova të jetë pjesë e NATO-s, në një të ardhme të afërt, Shea thotë se procesi mund të duket i ngadaltë, por duhet ta zgjidhet shpejt çështja e njohjes së Kosovës nga çdo aleat dhe atëherë gjërat do të shkojnë shumë më shpejt. Ai tha se Kosova duhet të imitojë shtetet baltike për anëtarësim në NATO. Ai ka folur edhe për buxhetin e mbrojtjes. “Synimi i NATO-s është që të shpenzojë 2% të PBB-së për mbrojtje dhe ky do të ishte një objektiv i mirë për të ecur edhe Kosova”, theksoi ai.
Shea tha se BE-ja duhet të heqë urgjentisht sanksionet që i ka vendosur Kosovës për shkak të situatës në veri të vendit.