Qeveria e SHBA-së përmes USAID-it, ka investuar mbi 10 milionë dollarë amerikanë në ndihmë shëndetësore Kosovës gjatë 20 vjetëve të kaluar.
Në një komunikatë për media thuhet se muajin e kaluar, pajisjet laboratorike për të mbështetur testimin diagnostik për SARS-CoV-2 të dhuruara nga Agjencia e SHBA, në emër të popullit amerikan, u vunë në funksion.
Donacioni i USAID-it, në partneritet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Prishtinë kanë ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve të Spitalit të Graçanicës në Llapnasellë, ashtu që testimet PCR të kryhen me besueshmëri, saktësi dhe shpejtësi.
Kjo përkrahje e ndihmon Llapnasellën dhe komunitetet në rrethinë që të kenë qasje të barabartë në shërbime cilësore dhe të ofruara në kohë të duhur si dhe për të fuqizuar individët që të mbrojnë veten dhe njëri tjetrin.
USAID-i në partneritet me Qeverinë e Kosovës, UNICEF-in, OBSH-në dhe akterët tjerë kyç ka punuar me punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë dhe komunitetet për të ngadalësuar përhapjen, për t'u kujdesur për të prekurit dhe siguruar pajisjet e nevojshme për të luftuar COVID-19.
Këtu përfshihet mbështetjen e vazhdueshme të përpjekjeve në komunikim dhe informim të publikut në Kosovë me qëllim të inkurajimit të parandalimit të COVID-19 dhe vaksinimit kundër tij.
Përveç kësaj, SHBA ka dërguar pajisje për testim laboratorik dhe skanerë termikë për t'u vendosur në pikat hyrëse të vendkalimeve kufitare të Kosovës, përfshirë aeroportin e Prishtinës dhe katër vendkalime kufitare tokësore.