Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, njoftoi sot se autoriteti që ai drejton do të rivlerësojë marrëdhëniet me Uashingtonin pasi Shtetet e Bashkuara vendosën veto ndaj anëtarësimit palestinez në Kombet e Bashkuara të enjten. “Udhëheqja palestineze do të rishikojë marrëdhëniet dypalëshe me Shtetet e Bashkuara për të garantuar ruajtjen e interesave të popullit tonë, qëllimeve dhe të drejtave tona”, tha Abbas për agjencinë palestineze të lajmeve Wafu. Palestinezët, të cilët kanë pasur statusin e "shtetit vëzhgues jo-anëtar" në OKB që nga viti 2012, i kërkuan Këshillit të Sigurimit të pranojë që "shteti palestinez", i cili tashmë është njohur nga shumica e vendeve, të marrë vendin e tij "legjitim" në atë institucion.
Por Shtetet e Bashkuara nuk hezituan të përdorin të drejtën e vetos, e cila “ngjalli zemërim të paprecedentë në mesin e palestinezëve dhe banorëve të rajonit, i cili tani po “shtyhet” drejt paqëndrueshmërisë, kaosit dhe terrorizmit edhe më të madh”, paralajmëroi Abbas. Ai shtoi se autoritetet palestineze synojnë të "zhvillojnë një strategji të re" për të konfirmuar vendimet e tyre në një "mënyrë të pavarur dhe do të ndjekin projektin palestinez, jo vizionin amerikan."