Një informator u tha autoriteteve amerikane së voni se Irani po bënte komplot për të vrarë ish-presidentin amerikan, Donald Trump, raporton CNN, duke cituar burime në dijeni për këtë çështje.
Në përgjigje, Shërbimi Sekret i SHBA-së e rriti sigurinë rreth Trumpit - me agjentë shtesë kundër-sulm dhe kundër-snajper, dronë dhe qen robotikë, raporton rrjeti televiziv.
Ish-zyrtarë të administratës Trump, përfshirë këshilltarin e tij për sigurinë kombëtare, John Bolton, dhe sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, thuhet se kanë marrë po ashtu kërcënime nga Irani.
Kjo, pasi Qasem Soleimani, ish-komandant i Forcave elitare Quds të Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit, është vrarë në janar të vitit 2020 në një sulm të forcave amerikane, nën komandaën e presidentit të atëhershëm, Trump.
Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara tha se raportet për komplotin iranian për vrasjen e Trumpit, janë “të pabazuara dhe keqdashëse”, dhe shtoi se Trump është “një kriminel që duhet të ndiqet penalisht dhe të dënohet në gjykatë”.
Anthony Guglielmi, zëdhënës i Shërbimit Sekret të SHBA-së, tha se ai dhe agjencitë e tjera “kanë marrë vazhdimisht informacione të reja për kërcënime të mundshme” dhe se ata “kanë ndërmarrë veprime për t’i përshtatur burimet sipas nevojës”.
Adrienne Watson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, tha se zyrtarët amerikanë të sigurisë i kanë përcjellë me vite “kërcënimet e Iranit kundër ish-zyrtarëve të administratës Trump”.
“Këto kërcënime kanë lindur nga dëshira e Iranit për t’u hakmarrë për vrasjen e Soleimanit”, tha ajo, raporton BBC. “Ne e konsiderojmë këtë si çështje të sigurisë kombëtare me prioritetin më të lartë”, shtoi Watson.
Crooks qëlloi në drejtim të Trumpit, duke e plagosur në vesh, derisa ai po fliste në një tubim në Batlër të Pensilvanisë, më 13 korrik.
Një person në audiencë u vra dhe dy të tjerë u plagosën.
Pas sulmit u ngritën pyetje sesi oficerët e policisë dhe agjentët përgjegjës për tubimin, e lejuan Crooksin të afrohej aq shumë.
Shërbimi Sekret pranoi se policia lokale ishte brenda ndërtesës, ndërsa Crooks ishte në çatinë e saj, duke shënjestruar Trumpin nga 130 metra largësi.
Presidenti amerikan, Joe Biden, urdhëroi një rishikim të pavarur të mënyrës sesi personi i armatosur ka arritur deri aty.
Shërbimi Sekret do të përballet gjithashtu me hetime nga Kongresi./REL/