Departamenti amerikan i Thesarit i ka sanksionuar të enjten rreth 120 individë dhe kompani për mbështetje të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Në mesin e tyre është sanksionuar edhe një kompani nga Serbia, MCI Trading DOO, me seli në Beograd.
Kompania ruse, AK Microtech akuzohet se i ka ofruar Ministrisë ruse të Mbrojtjes, pajisje të teknologjisë së lartë.
Në njoftim është thënë se kjo kompani specializon në transferimin e teknologjisë së huaj te kompanitë ruse për prodhimin e mikroelektronikës, shkruan Rel. “Një numër i atyre që i pranojnë këto pajisje janë persona dhe entitete të bllokuara nga Shtetet e Bashkuara”, është thënë në deklaratë, duke shtuar se AK Microtech punon me ndërmjetësues jorusë për t’i dërguar pajisjet te pranuesit rusë.
Aty është përmendur se kompania serbe ka kryer një mori transferesh për kompaninë ruse prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Kompania MCI Trading dhe drejtori i saj, Ivan Cvetiq janë shtuar në listën e sanksioneve për, siç është thënë, ndihmë materiale dhe sponsorim apo ofrim të ndihmës financiare apo teknologjike për kompaninë AK Microtech.