Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kanë zhvilluar sot një takim të përbashkët me përfaqësues të bizneseve.
Në këtë takim, ku krahas ambasadorit Hovenier, ishin edhe përfaqësues të USAID-it e të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Kurti theksoi rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, potencialin që ka Kosova dhe mundësinë e thellimit të bashkëpunimit me sektorin privat, thuhet në komunikatën për media.
“Kryeministri Kurti nënvizoi punën, veprimet dhe hapat e ndërmarrë nga Qeveria për lidhjen ndërmjet edukimit dhe tregut, përmes arsimit dual, i cili tashmë është pilotuar në këtë vit akademik që po e përmbyllim në gjithsej katër shkolla profesionale, në katër programe në tre komuna të ndryshme. Ai i njoftoi edhe për mundësitë që ofron Fondi Sovran, ligji për të cilin së fundmi është miratuar në Qeveri, dhe potencialin që paraqet sektori i energjisë, duke marrë parasysh orientimin e qeverisë drejt energjisë së ripërtëritshme”, thuhet në komunikatë.