Të dhënat për nëntëmujorin e parë të vitit 2025 tregojnë një situatë shqetësuese në fushën e shëndetit mendor në Kosovë, duke rikthyer në vëmendje mungesën e politikave dhe mekanizmave institucional për parandalimin e vetëvrasjeve. Sipas Policisë së Kosovës, 13 persona kanë kryer vetëvrasje në Kosovë, një dukuri e cila ndodh nga faktorë të ndryshëm, ekonomik, social, psikologjik, çrregullimeve mendore, probleme, mungesë vetëbesime e tjera.
Ndërkohë Qendra për parandalimin e vetëvrasjes “Linja e Jetës” për nëntë muajt e parë të vitit që lamë pas, ka pasur 800 thirrje të personave me mendime suicidale, 3-4 mijë chats dhe 160 thirrje të humbura.
Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, Faton Kutllovci, ka thënë për KosovaPress, se në këtë klinikë trajtohen çdo ditë persona me çrregullime psikike, përfshirë edhe raste me ide suicidale. Sipas tij, trajtimi bëhet me kujdes të veçantë dhe në bazë të vlerësimit profesional për secilin rast.
Kutllovci ka apeluar që mediat të raportojnë me përgjegjësi për këto raste, duke paralajmëruar se raportimi i detajuar mund të ketë ndikim negativ në shoqëri.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se ligji aktual për shëndetin mendor ka mangësi dhe se një draft i ri i projektligjit tashmë ndodhet në fazën e konsultimeve publike.
Ndërkohë, drejtori i organizatës “Linja e Jetës”, Bind Skeja, ka deklaruar se kjo organizatë po përballet me vështirësi financiare dhe mungesë të stafit, çka ka detyruar shkurtimin e orarit të shërbimit. Prej orë 14:00 deri në 2:00 siç ka qenë orari, është detyruar të shkurtohet prej 18:00 deri në 22:00, shkak i këtij orari sipas tij, është që në këtë kohë ka më së shumti thirrje, me tre mbikëqyrës, pesë operatorë dhe 20 operatorë vullnetarë.
Skeja ka theksuar se Kosova ende nuk ka një ligj apo strategji specifike për parandalimin e vetëvrasjes dhe se mungon bashkëpunimi formal me institucionet qendrore, pavarësisht trajnimeve që kjo organizatë u ofron institucioneve të sigurisë.
Nga ana tjetër, psikologu Kristian Halilaj ka shpjeguar se gjendjet e gjata depresive, humbja e motivimit dhe mendimet destruktive janë faktorë kyç që e çojnë një individ drejt krizave të rënda psikologjike. Ai ka theksuar se trajtimi profesional dhe mbështetja psikologjike janë të domosdoshme, pasi ndihma familjare shpesh nuk mjafton për të përballuar këto gjendje.
Nëse keni mendime suicidale apo ndjeheni në një gjendje depresive vizitoni psikologun apo thirrni në Linjën e Jetës pa pagesë në 0800 12345 ose shkruaj në chat si person anonim.