Shqetësimi se nata e Vitit të Ri mund të bëhej sërish e dhunshme ishte i madh, sidomos në kryeqytetin gjerman, në Berlin.
Ditën e parë të Vitit të Ri policia e Berlinit njoftoi se koncepti i saj me vendosjen e zonave ku ishin të ndaluara fishekzjarret dhe përcaktimi i zonave që konsiderohen si pika të nxehta kishte funksionuar.
Natën e Vitit të Ri në Berlin pranë Portës së Brandenburgut pati koncerte ku morën pjesë deri në 65.000 vetë.
Për shkak të frikës prej sulmesh të mundshme terroriste organet e rendit kishin krijuar një koncept kompleks sigurie. Në zonën e festës qytetarët mund të hynin vetëm me biletë, dhe në hyrje kishte kontrolle. Nuk lejoheshin as çantat, as fishekzjarret, as ushqimet, pijet apo gjëra të tjera.
Policia e Berlinit, por edhe zjarrfikësit dhe shërbimet mjekësore ishin vënë në alarm. Punonjësit e urgjencës përjetojnë vazhdimisht sulme të dhunshme edhe në ditët normale.
Në një studim mbarëkombëtar nga Shoqata Gjermane e Brigadës së Zjarrfikësve (DFV), rreth gjysma e zjarrfikësve të anketuar deklaruan se ishin fyer, sharë dhe kërcënuar ose kishin përjetuar dhunë të drejtpërdrejtë gjatë detyrës në dy vitet e fundit.