Në Serbi është organizuar një turnir memorial për nder të Stevan Nedelkoviqit, terroristit të vrarë në Banjskë të Zveçanit më 2023, me ç’rast u glorifikua sulmi terrorist që la të vrarë rreshterin policor, Afrim Bunjaku e të plagosur tre të tjerë.
Ndërkohë që Serbisë i është kërkuar disa herë të dorëzojë Milan Radojçiqin i cili mori përgjegjësinë për sulmin, në Vërnjaçka Banjë u kërkua liri për tre serbët që u dënuan së fundmi në Kosovë për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Ndonëse përgjegjësinë e mori Milan Radoiçiq, presidenti serb Aleksandër Vuçiq lëre që nuk e arrestoi atë, por me këto organizime lejon edhe mbrojtjen e agresionit në Banjskë.
Radoiçiq nuk është ekstraduar në Kosovë dhe vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi, çka ka nxitur kritika të vazhdueshme ndaj institucioneve në Beograd.”Zveçani është i yti e ti je i përjetshëm”, ishte njëra nga pankartat që tifozët serbë mbanin në duar gjatë turnirit memorial - në fotografitë e publikuara në Telegram, transmeton KosovaPress.
Ndryshe, Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë.