Qindra serbë nga rajoni i Zubin Potokut dhe më gjerë, kanë protestuar sot në Zubin Potok në shenjë pakënaqësie, siç thanë ata, me shkatërrimin e monumenteve dhe ikonave fetare që kanë ndodhur kohën e fundit nëpër fshatrat e komunës së Zubin Potokut.
Ata protestën e filluan para stacionit policor në Zubin Potok, për të vazhduar pastaj në kishën e këtij qyteti ku ndezën qirinj.
"Sot kemi ardhur në mbështetje të qytetarëve të cilët kanë shprehur pakënaqësinë përmes lutjeve në lidhje me përdhosjen e shenjtoreve në tri fshatra të Megjugorës....Nuk do ta akuzojmë askënd, por kjo është një shenjë që tregon se duhet me kohë të intervenohet", tha Arsenijeviq.
Ai nuk ka akuzuar askënd, duke thënë se ngjarjet e tilla duhet të jenë alarm për Bashkësinë Ndërkombëtare, por edhe institucionet e Kosovës.
Edhe Vesna Radiq, njëra nga pjesëmarrëset e protestës së sotme, ka treguar se protesta e mbajtur është kundër përdhosjes së shenjtoreve dhe nuk ka të bëjë me policinë.
Protesta e cila bllokoi vetëm një korsi të magjistrales Zubin Potok - Bërnjak, ka zgjatur rreth 40 minuta dhe nuk është shënuar ndonjë incident, ndërsa është vëzhguar nga afër prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët ishin në numër më të madh se rëndom.