Dielli ka ndriçuar përmendoren e djalit të saj të vrarë, teksa pa ndalim lëmon faqet e tij. Ajo po heq mallin e Samiut përmes fotografisë aty, të cilit ia këputen rininë në moshën 20-vjeçare. E moshuara nga fshati Brovinë, ka marrë ulësen me vete për të qëndruar me orë në afërsi, ku prehet trupi i më të dashurit të saj. Mezi iu bën bashkë edhe eshtrat, pas masakrës së Mejës ku të njëjtin fat e patën edhe 376 të tjerë.
Mosha e mërzia nuk ia kanë shlyer kujtimet e tmerrshme të kësaj masakre.
"I djalit tim është (varri) që ma kanë vrarë këtu në Mejë, sot 22-23 vjet. Ne kështu të mërzitura cdoherë. Çfarë të bëjmë.... Atëherë na qiten shkijet neve, këta i ndalen këtu, duart për mbrapa, e gjunjtë në tokë. Qaty i kemi lënë, nuk kemi guxuar me i ndal, sa atje i kemi dëgjuar krismat që i kanë vrarë aty. Tani na kanë mërthyer për Shqipëri, jemi shkuar për Prizren edhe atje patën me na vra shkijet, duke na i vendosur thikat në fyt, duke na kërkua pare, menzi jemi dalë në Shqipëri për Shqipëri", tha ajo.
Ajo shtoi se po e ka të vështirë të jetojë me këtë dhimbje, por për ta ndryshuar këtë nuk ka mundësi.
Shteti serb nuk kurseu as të miturit. Ajshe Avdyli po kujton 16-vjeçarin, aso kohe, Bajrushin.
Ajshja tha se institucionet nuk kanë bërë asgjë në vendosjen e drejtësisë për të gjithë të vrarët.
Kosova ende nuk dinë për fatin e më shumë se 1 mijë e 600 personave të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. /Sh.Pajaziti/