Serbët e veriut largohen nga institucionet e Kosovës
Lexohet për: 3 min.
lista-serbe
2 vite më parë
Linku u kopjua

Përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve të veriut të Kosovës, pas takimit të jashtëzakonshëm të mbajtur sot në Zvecan, kanë vendosur të braktisin të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë këtu Kuvendin, Qeverinë, gjyqësorin, policinë dhe komunat.

Sipas tyre, ky vendim vlen derisa Prishtina zyrtare të tërheqë vendimet, siç i quajtën ata të njëanshme, për targat dhe të tjerat, si dhe të respektojë marrëveshjet e Brukselit.

Kryetari i Listës serbe, Goran Rakiq, duke lexuar vendimet nga ky takim, ishte i pari që dha dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, duke kërkuar “respektim të së drejtës ndërkombëtare”.

"Ne përfaqësuesit politikë nga Kosova, pas takimit të sotëm, njëzëri kemi marr vendimet e radhës... Ne serbët e Kosovës thërrasim Prishtinën që t’i kthehet respektimit të së drejtës ndërkombëtare marrëveshjes se Brukselit dhe të gjitha akteve të tjera që janë arritur në kuadër të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, i cili bazohet na bazë të mandatit të Kombeve të bashkuar dhe në ndërmjetësimin e BE... Kemi vendosur që të lëshojmë të gjitha institucionet politike, pra Kuvendin, Qeverinë dhe katër komunat në veri të Kosovës, por po lëshojmë edhe përfaqësimin dhe punën në organet e drejtësisë, policisë në veri dhe i gjithë stafit administrativë në katër komunat në veri të Kosovës”, deklaroi Rakiq.

Kreu i Listës Serbe tha se vendimi mbetet në fuqi deri në tërheqjen e Prishtinës për regjistrimin e veturave me targat e Republikës së Kosovës.

“Këtë vendim për lëshim dhe suspendim në institucione mbesin në fuqi deri në momentin kur Prishtina fillon të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel, kjo konkretisht do të thotë, derisa nuk i tërheqë vendimet e njëanshme dhe jo legale për regjistrimin e automjeteve, deri sa nuk formon bashkësinë e komunave serbe ne përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjeve tjera të cilët janë arritur për këto çështje në kuadër të dialogut dhe në bazë të punës se ekipit udhëheqës për hartimin e statusit të Asocacionit të komunave serbe. Dhe të jem i qartë se serbët nga Kosova nuk e kërcënojnë askënd, por mundohemi ta ruajmë paqen dhe stabilitetin dhe të drejtën ton në mbijetesën dinjitoze në vatrat tona", ka thënë Rakiq.

Me rend, edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe kryetarët kanë dhënë dorëheqje, ndërsa pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës hoqën uniformat.

https://kosovapress.com/%e2%80%8bserbet-vendosin-te-largohen-nga-institucionet-e-kosoves-policet-serbe-zhveshin-uniformat/
https://kosovapress.com/%e2%80%8blargimi-i-serbeve-nga-institucionet-presidenca-njejte-sikurse-rusia-me-donbasin/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025