Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në bashkëveprim me Inspektoratin e Tregut nga Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kanë kontrolluar sot një operator ekonomik të dyshuar në tri lokacione në Prishtinë.
Deri tek aksioni ka ardhur pas marrjes së informacioneve se operatori ekonomik po bën shitjen e produkteve të ndryshme me shumicë si suplemente të ndryshme, shampone, mjaltë për përdorime të ndryshme për potencë, të cilat dyshohet se janë pa origjinë të prejardhjes, të falsifikuara dhe ndërrim të afatit të skadencës.
Lidhur me këtë është njoftuar Dogana e Kosovës-Njësia e Antikontrabandës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes duke u bashkuar në operacion me hetuesit e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratin e MINT-it.
Në këtë rast Dogana e Kosovës ka sekuestruar sasi të konsiderueshme të mallrave, të dyshuara si kontrabandë, ndërsa Inspektorati i tregut ka bërë bllombimin e depos deri në përfundim të rastit nga Dogana e Kosovës.
Me këtë rast personi me inicialet G.T. është sjell për intervistim, si i dyshuar lidhur me veprat penale kontrabandim i mallrave dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent nga Prokuroria Themelore Prishtinë dhe me rekomandimin e tij në këtë fazë personi i dyshuar lirohet në procedurë të rregullt.