Sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë goditur më së shumti sektorin e energjisë në vlerë rreth 75 milionë euro, në projektin për të ndihmuar në subvencionimin e pakove të energjisë. Ndërkaq, nga projektet tjera që kanë qenë të destinuara për vendin, Kosova është duke humbur me dhjetëra miliona euro të tjera. Kështu bëjnë të ditur njohës të ekonomisë, të cilët shprehen të shqetësuar për gjendjen ekonomike në Kosovë pas sanksioneve nga BE.
Drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Zana Beqiri, thotë se në vend se Kosova të ishte në fazën zhvillimore me projektin e IPA 2, vendi mbetet ende tek fondet e IPA 1. Sipas saj, Kosova duhet ta zë hapin sa më parë në zhvillimin e këtyre projekteve.
Beqiri ka apeluar tek BE dhe institucionet tjera relevante që të heqin masat, sepse sipas saj, Kosova nuk e meriton të ketë sanksione të tilla.
Mes tjerash, ajo thotë se Kosovës i janë mbetur të bllokuara rreth 75 milion euro vetëm në fushën e energjisë.
Rafuna konsideron se nëse ndiqet praktika e njëjtë siç ka qenë tek fondi i digjitalizimit, edhe tek fondet e IPA-s Kosova do të privohet nga e drejta e saj, e që sipas tij, është humbje e madhe për vendin.
Ndërsa, njohësi i ekonomisë, Besnik Avdija vlerëson se si pasojë e këtyre masave, Kosova është duke humbur shumë në zhvillimin e saj ekonomik.
Janë bërë gati katër muaj kur Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës si rrjedhojë e situatës në veri.
KosovaPress ka kërkuar përgjigje nga Bashkimi Evropian për shumën e mjeteve të bllokuara dhe arsyen pse nuk po hiqen sanksionet, por të njëjtit nuk janë përgjigjur në pyetjet tona.