Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Taulant Seferi doli në konferencë për media këtë të hënë për të folur për dy ndeshjet e radhës të Shqipërisë kundër Moldavisë më 17 qershor në stadiumin ‘Air Albania’ dhe Ishujve Faroe më 20 qershor në transfertë, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian ‘Gjermani 2024’.
Sulmuesi kuqezi nënvizoi se të gjithë lojtarët janë të bashkuar për të dhënë maksimumin në të dyja takimet e radhës dhe për të marrë 6 pikët. Seferi u shpreh se brenda grupit kuqezi harmonia është e plotë, ndërsa theksoi se e gjithë skuadra po punon shumë fort për të fituar të dyja ndeshjet dhe për të arritur objektivin ‘Gjermani 2024’. Nuk mungoi as thirrja e sulmuesit shqiptar për tifozët, duke i ftuar ata të jenë sa më të shumtë në numër në ndeshjen ndaj Moldavisë më 17 qershor në ‘Air Albania’.Ai shtoi se këto dy ndeshje janë jashtëzakonisht të rëndësishme për Shqipërinë dhe duhet dhënë maksimumin.
“Është fundi i sezonit, por kur është puna te Kombëtarja, atëherë duhet të jemi patjetër sepse janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për ne. Duhet t’i ruajmë energjitë tona për këto ndeshje, duhet të kemi kujdes dhe duhet të japim maksimumin. Ne jemi të fokusuar te ndeshja e parë me Moldavinë. Qëllimi ynë është ta nisim me fitore dhe pastaj do të shohim ndeshjen e radhës. Natyrisht, kemi ardhur këtu për të marrë maksimumin e këtyre ndeshjeve dhe shpresoj që pas dy takimeve të flasim me pozitivitet.”, shtoi Seferi.
“Janë shtysë e madhe e jona, tifozët. I bëj thirrje të gjithëve që të vijnë sa më shumë sepse me ata ne jemi shumë më të fortë dhe shumë më të motivuar. Shpresoj që në stadium t’i shohim sa më të shumtë në numër tifozët tanë. Sepse kemi nevojë për ta, pa dyshim.”, tha në fund Seferi.