Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmitari i dymbëdhjetë në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai është duke u intervistuar nga mbrojtja e Rexhep Selimit në seancë të mbyllur për publikun.
Dëshmitari i mbrojtur bën pjesë në grupin e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), dhe mban kodin 4337.
Aty është bërë e ditur se dëshmitari është shqiptar i Kosovës i cili sipas prokurorisë ishte bujk gjatë vitit 1998.
Ai pretendon se në atë periudhë, disa pjesëtarë të UÇK-së e kishin marrë nga shtëpia e tij, sipas tij për ta mbajtur e keqtrajtuar pastaj për një muaj.
Në këtë proces gjyqësor deri tani kanë dëshmuar njëmbëdhjetë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur duke mos u bërë i ditur identiteti i tyre, ndërsa seancat janë zhvilluar kryesisht të mbyllura për publikun.
Gjykimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse dhe para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.