Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se seanca e filluar në ora 16:00, ndaj tridhjetenëntë të pandehurve, ka përfunduar mbrëmë në ora 23:00.
Sipas njoftimit, gjatë zhvillimit të seancës, disa nga palët në procedurë kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore, për çka gjyqtari i procedurës paraprake ka ndërprerë disa herë seancën dhe palëve iu është ofruar ndihma e nevojshme përmes Emergjencës, dhe kur palët kanë qenë të gatshme ka vazhduar me seancën për caktimin e masës së sigurisë.
39 persona janë arrestuar të enjten pas një aksioni të Prokurorisë Themelore në Prizren lidhur me dyshimet për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS).
Ndër të arrestuarit janë ish-drejtori ekzekutiv i BKS-së, Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Departamentit të Financave në BKS-së, Valon Berisha, kurse vlera e dëmit të shkaktuar është mbi 1 milionë e 43 mijë euro.
Veprimet hetimore kishin nisur nga marsi i vitit të kaluar 2025 dhe se për këtë rast kanë qenë të angazhuar dy prokurorë dhe vetë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
Ndërkohë, janë siguruar 166 transaksione të dyshimta, në mesin e tyre 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona.