Së shpejti vendosen kamerat në rrugët e Prishtinës
Lexohet për: 2 min.
kamera
1 vit më parë
Linku u kopjua

Tejkalimi i shpejtësisë në komunikacion dhe aksidentet e shpeshta që shpesh përfundojnë me lëndime e nga një herë edhe me fatalitet, janë rastet të cilat po vazhdojnë të ndodhin në rrugët e Prishtinës.

Ekspert të komunikacionit dhe Policia e Kosovës, vlerësojnë se vendosja e kamerave në rrugët e kryeqytetit, por edhe në rrugët tjera nacioanle, do të ndikonte në parandalimin e aksidenteve në trafik.

E derisa qytetarët e mirëpresin vendosjen e kamerave, në Komunën e Prishtinës thonë se projekti është në procedurë dhe shumë shpejtë do të implementohet në rrugët e Prishtinës.

Vozitësi nga Prishtina, Nuhi Gashi tha se kamerat në komunikacion është dashur të vendosen qysh moti. Sipas tij, kamerat do të vetëdijësonin qytetarët për të ulur shpejtësinë në vozitje dhe aksidentet do të ishin më të pakëta.

Po ashtu, vozitësi tjetër u shpreh se me vendosjen e kamerave, do të rritet edhe siguria në komunikacion.

Ndërkaq, eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj tha për KosovaPress, se shumica e aksidenteve në komunikacion ndodhin për shkak të mungesës së hulumtimeve të tyre.

Ai shtoi se vendosja e aparatëve fotografik në rrugë nacionale është parandalim i aksidenteve. Sipas tij, përpos policisë që matin shpejtësinë, edhe kamerat do të vepronin shpejtë dhe saktë, por për fat të keq Kosova nuk i ka.

E në një përgjigje me shkrim nga Policia e Kosovës, zëdhëndësi Baki Kelani theksoi se kamerat në komunikacion, do të ndihmonin policinë në aspektin e hetimit të veprave të ndryshme penale.

Nga drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica ka thënë për KosovaPress, se projekti për kamerat në komunikacion është në proces dhe shumë shpejt pritet të vendosen në rrugët e kryeqytetit.

Fushtica tha se në momentin që vendosen kamerat në komunikacion, ato do të monitorohen nga Policia e Kosovës dhe do të ndikojë në zbulimin e krimeve në komunikacion.

Për realizimin e projektit të kamerave në Prishtinë, janë ndarë rreth 450 mijë euro. Projekt i cili do të duhej të përfundonte në nëntor të këtij viti, por se do të nis në vitin 2024.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024