Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës (SBAShK) është në pritje edhe sot për ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit. Ata thonë se sot është afati i fundit në të cilën qeveria duhet të reflektojë dhe të ekzekutohen pagat në të kundërtën SBASHK do të mblidhet pas orës 16:00 në një takim urgjent me kryetarët e komunave. Ndërkaq, sipas SBAShK-ut, qeveria nuk ka qenë e gatshme të fillojë mësimi, pasi thonë se ka pasur mungesë të teksteve shkollore.
Asociacioni i Komunave të Kosovës po ashtu u ka bërë thirrje qeverisë t'i procedojë pagat e mësimdhënësve.
“Ne kemi pritur që sot të ekzekutohen pagat nga qeveria sepse qeveria ka bërë ndaljen e pagave të mësimdhënësve që ligjërisht nuk është e drejtë. Më e keqja është se në grevë kanë qenë edhe administratat, por kryesisht administrata i kanë marrë pagat, ndërsa mësimdhënësve nuk ju kanë ekzekutuar pagat, dhe sot është data e fundit që qeveria duhet të reflektoje dhe t’i ekzekutojë pagat për mësimdhënësit”, theksoi ai.
Pllana tha se në vend se qeveria të falënderojë SBAShK-un, mësimdhënësit e nxënësit, si dhe t’ju urojë një vit të mbarë, kryeministri bën presion duke ua ndalur pagat.
“Dihet se pjesa dërrmuese e mësimdhënësve janë në kredi, bankat nuk pyesin dhe i ndalin kamatat, në këtë formë ndëshkohen prapë mësimdhënësit. Më e keqja është se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci thotë se duhet t’i jepen avancë apo huazim mësimdhënësve për këtë muaj, d.m.th. t’i detyrojë të hyjnë borxh edhe njëherë mësimdhënësit sepse avanci është për t’i kthyer paratë dhe ne s’kemi kërkuar huazim, ne kemi kërkuar 100 euro për shkak të inflacionit dhe këtë nuk arriti ta bëjë qeveria, prandaj prapë fillon me presione duke tensionuar edhe më shumë gjendjen, për arsyeje se paga është për jetesë të mësimdhënësve”, tha ai.
Më tej, ai tha se dialogu social nuk mbahet kështu me injorime dhe me sharje. Ai ka akuzuar qeverinë për mos plotësimin e kushteve për të filluar mësimin. Sipas tij, disa mësimdhënës në mungesë të ditarit nuk kanë pasur ku ta shkruajnë orën.
Anëtari i SBAShK-ut është shprehur kundër zëvendësimit të orëve të humbura. Sipas tij fëmijëve nuk duhet humbur pushimet.
“Ministria e ka publikuar kalendarin jo në fillim por pasi ka filluar mësimi, dhe tash ka ndryshuar kalendari. Nuk ju hupet fëmijëve pushimi dimëror, pranveror, nuk ju zgjatet mësimdhënësve viti shkollor, këtë e ka bërë qeveria vetë d.m.th. për shkak se ka pasur kohë që qeveria të reflektojë dhe të mos i ndëshkojë mësimdhënësit me anë të pagave. Dashtë Zoti që qeveria të kthjellet dhe i ekzekuton pagat për mësimdhënësit sepse kjo është kundërligjore. Në qoftë se qeveria nuk bënë ekzekutimin e pagave, sot do të mblidhet këshilli drejtues dhe të vendosin për hapat e mëtutjeshëm”, tha ai.
“Gjatë këtyre ditëve të fundit AKK ka pranuar shumë shqetësime nga komunat e Kosovës sa i përket mosekzekutimit të pagave për sektorin e arsimit. AKK kërkon nga niveli qendror që t’i ekzekutojë pagat për sektorin e arsimit sepse kjo është e paraparë edhe me legjislacionin në fuqi. Komunat janë përgjegjëse për sektorin e arsimit, komunat i kanë dërguar listat e pagave në nivel qendror dhe kompetencë e nivelit qendror është vetëm ekzekutimi i pagave nga listat e pagave të cilat dërgohen nga komunat e Kosovës, asnjë listë tjetër nuk mund të jetë legjitime pa e pas vulën e komunës përkatëse”, tha ai.
Në një intervistë për KosovaPress, Ibrahimi tha se kërkesat nuk mund të zgjidhen përmes rrjeteve sociale por duke dialoguar dy palët.
Ndërsa Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka deklaruar sot se sa i përket pagave për grevistët do të zbatojnë ligjin përkatës, duke paralajmëruar se i njëjti. /E.Krasniqi/