Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, e ka dorëzuar dosjen e apelit kundër aktgjykimit të shpallur më 16 dhjetor të vitit të kaluar. Me një vendim të shkallës së parë, Gjykata Speciale e kishte shpallur atë fajtor për krime të pretenduara të luftës duke e dënuar me 26 vjet burgim.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të gjykatës, bëhet e ditur se dosjet e përgjigjeve do të dorëzohen në qershor.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Salih Mustafa është dënuar më 26 vjet heqje lirie, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, që është nga shtatori i vitit 2020.
Prokuroria pretendon se i njëjti ka kryer krime lufte dhe akuzat që rëndojnë mbi të janë: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje e paligjshme, ndërsa ai është shpallur fajtor për pikën 1, 3 dhe 4.
Tetë persona janë pranuar si viktima në këtë proces gjyqësor, dhe trupi gjykues e ka caktuar shumën prej 207 mijë euro për dëmshpërblimin të tyre.
Në gjykimin kundër Mustafës janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes.
Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.
Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.