Sadriu beson se Ferizaj do të sigurojë edhe një sezon në Superligë
Edon Sadriu u shpall sot “Ylli i Javës” nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).
Sadriu me paraqitjet e tij ka arritur ta ndihmojë Ferizajn që të ringjallet, dhe të rritë shpresat për mbetje në elitën e futbollit vendor, raporton KosovaPress.
Në fitoren e fundit 2:1 ndaj Llapit, Sadriu ishte lojtari kyç te Ferizaj duke shënuar golin e barazimit, e më pas edhe golin e fitores.
Pasi që e pranoi çmimin në fjalë, Sadriu tha se beson se skuadra e tij do t’ia arrijë objektivit për të vazhduar edhe një sezon tjetër në Superligën e Kosovës.
“Me këtë seri pozitive, me lojën që dhe përkushtimin që po e tregojmë, besoj që Ferizaj do të arrijë objektivin për të siguruar mbetjen në Superligë. Gjithsesi, na pret një luftë shumë e vështirë deri në fund të kampionatit”, tha Sadriu.
Momentalisht, Ferizaj zë vendin e parafundit në tabelë, respektivisht vendin e nëntë në kuotën e 24 pikëve, dy sosh larg zonës së rrezikut apo vendit të shtatë në tabelë, që okupohet nga Trepça ’89.